Operacioni “LAST DRIVE II” në Kamëz: Arrestohet 29-vjeçari, dyshohet për trafik armësh dhe fshehje të ardhurash
Një 29-vjeçar është vënë në pranga në Kamëz, pasi dyshohet se transportonte një armë zjarri pistoletë me qëllim trafikimin e saj. Gjatë operacionit të koduar “LAST DRIVE II”, i riu me inicialet E. C. u arrestua dhe u sekuestruan një sasi armësh dhe municionesh, si dhe prova që sugjerojnë veprimtari të paligjshme financiare.
Finalizimi i këtij operacioni erdhi pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Forca e Posaçme Operacionale dhe Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të cilat sinjalizonin se një shtetas po qarkullonte i armatosur me automjet.
Shtetasi i arrestuar, E. C., 29 vjeç, banues në Krujë, rezulton të jetë një person me precedentë penalë, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte 29-vjeçari, shërbimet policore gjetën dhe sekuestruan një pistoletë, së bashku me automjetin dhe një celular.
Kontrollet u shtrinë edhe në banesën e tij, ku u zbuluan dhe u sekuestruan një pushkë gjahu pa leje, 50 fishekë, si dhe një bllok shënimesh ku dyshohet se mbaheshin të dhëna për shuma të ndryshme parash, duke shtuar dyshimet për aktivitete të tjera të paligjshme.
Si pasojë e këtyre gjetjeve, ndaj E. C. ka nisur edhe një hetim pasuror. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila do të hetojë 29-vjeçarin për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” dhe “Fshehja e të ardhurave”.


