Gazetarja Kostreci zbardh qëndrimin e Kushnerit për investimin në Zvërnec: Ideja nisi jashtë mandatit të Trump
Gazetarja shqiptare me banim në SHBA, Keida Kostreci, ka ofruar detaje lidhur me reagimin e Jared Kushner, dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, në lidhje me planin e tij për investime në zonën e Zvërnecit, Vlorë. Ajo foli gjatë emisionit “Review” me Greta Topjanën.
Sipas Kostrecit, Kushner publikoi më 8 tetor një përgjigje ndaj revistës amerikane The New Yorker, duke theksuar disa pika kyçe rreth këtij projekti.
“Zoti Kushner thekson se çdo aspekt i investimit të tij në Shqipëri është plotësisht i ligjshëm, duke përfshirë edhe pronat e blera. Ai mohon kategorikisht që ka pasur ndonjë favor apo trajtim të veçantë nga qeveria dhe sqaron se, kur ideja për këtë projekt u hodh fillimisht në vitin 2021, Donald Trump nuk ishte më në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara,” deklaroi Kostreci.
Ajo shtoi se, pas këtij deklarimi nga ana e Kushnerit, revista The New Yorker nuk kishte dhënë ende asnjë përgjigje apo reagim zyrtar.

