Avokati Ibraj komenton vrasjen e Arlinda Zekajt: Autori rrezikon burgim të përjetshëm, bashkëshorti 15 vite
Avokati Kujtim Ibraj ka ofruar analizën e tij ligjore lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, duke shpjeguar dënimet maksimale të mundshme për autorin dhe bashkëpunëtorin e dyshuar.
Sipas Ibrajt, ngjarja cilësohet si vrasje me paramendim dhe me rrethana cilësuese për shkak të lidhjeve familjare. Në këtë kontekst, ai parashikon se autori i krimit, i identifikuar si vëllai i bashkëshortit të viktimës, rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.
Lidhur me bashkëshortin e Arlinda Zekajt, avokati Ibraj beson se prokuroria mund të ngrejë akuza për bashkëpunim, me një dënim të mundshëm prej 15 vitesh burg. Ai theksoi rëndësinë e këtyre krimeve me paramendim dhe rrethanave cilësuese, duke shtuar: “Kemi të bëjmë me vrasje me paramendim në rrethana cilësuese për shkak të lidhjeve familjare që ka. Unë besoj që ai do të dënohet me burgim të përjetshëm, por unë besoj që edhe bashkëshorti ndoshta akuzën e prokurorisë do ta shohim më vonë, besoj që do të jetë edhe ai në bashkëpunim bashkë me të vëllain. Që do të thotë, unë them që 15 vite burg për bashkëshortin dhe burgim të përjetshëm për vëllain, autorin e vrasjes. Pra marzhi i dënimit është shumë i rëndë”.

