Mehdi Malkaj: Artistët në Shqipëri shikohen si mjet argëtimi, jo vlerë kombëtare; kritika ka çmim
Aktori i njohur Mehdi Malkaj ka shprehur shqetësimin e tij të thellë lidhur me statusin dhe trajtimin e artistëve në Shqipëri. I ftuar këtë të dielë në emisionin “Review” me Greta Topjanën në Euronews Albania, Malkaj theksoi se komuniteti artistik shpesh konsiderohet thjesht si një instrument për argëtimin e pushtetarëve, duke u mohuar roli i vërtetë si vlera thelbësore kombëtare.
Sipas Malkajt, perceptimi i artistit në vendin tonë është reduktuar, duke e privuar atë nga statusi i një bartësi kulturor dhe shoqëror. Ai u shpreh se institucionet shtetërore i përdorin artistët për qëllime zbavitëse, pa i njohur ata si zëra të rëndësishëm që kontribuojnë në identitetin dhe zhvillimin e vendit.
Aktori vuri në dukje se çdo shprehje e mendimit të lirë apo kritike nga ana e një artisti ndaj pushtetit shoqërohet me pasoja të menjëhershme. “Këtu në këtë vend që jetojmë neve artistët i marrin të gjithë këta, nga shteti e merr për të argëtuar ata. Nuk ka vlerë artisti, artistin e marrin ta argëtojë. Në momentin që artisti i shkretë, si mjet argëtimi, unë futem brenda dhe them një gjë që s’më pëlqen, po për mua është e drejtë dhe për atë është e shtrembër, ai pastaj hakmerret me mua në mënyrë më të keqe të mundshme,” citoi aktori, duke nënvizuar se reagimi i artistëve në këto rrethana ka një kosto të lartë.
Deklarata e Malkajt nxjerr në pah një problematikë të vazhdueshme të marrëdhënies mes artit dhe pushtetit në Shqipëri, ku liria e shprehjes artistike duket se përballet me censurë dhe pasoja nëse del jashtë kornizave të pritshme nga elitat drejtuese.



