Zjarr në “Lëndinën e Madhe” mbi Sinicë, ekipet e shpëtimit në terren
Një zjarr i rënë pasditen e së martës ka përfshirë një sipërfaqe pyjore në zonën e njohur si “Lëndina e Madhe”, e lokalizuar mbi fshatin Sinicë, në Bashkinë Devoll.
Pas marrjes së njoftimit për flakët, Shërbimi Zjarrfikës i Bashkisë Devoll ka mobilizuar menjëherë forcat. Drejt vendit të ngjarjes janë nisur një ekip prej 11 zjarrfikësish, të cilët janë mbështetur edhe nga 3 punonjës të shërbimit pyjor.
Forcat në terren po punojnë intensivisht për të vënë nën kontroll vatrën e zjarrit dhe për të neutralizuar flakët, ndërsa ndërhyrja për shuarjen e tyre është ende në vijim.
Deri në këto momente, nuk është përcaktuar me saktësi sipërfaqja e tokës së prekur nga flakët dhe as shkaku i rënies së zjarrit. Shërbimet zjarrfikëse po monitorojnë situatën me kujdes për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve në zonën pyjore.

