Policia godet shpërndarjen e drogës në Laç, arrestohen dy me 80 doza kokainë
Në vijim të luftës kundër veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Policia e Lezhës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Destinacioni”, duke vënë në pranga dy persona të dyshuar për shpërndarje lëndësh narkotike në qytetin e Laçit.
Të arrestuarit janë G. M., 28 vjeç, me banim në Lushnjë, dhe S. K., 19 vjeç, banues në Tiranë. Kapja e tyre u bë në lagjen nr. 6 të qytetit të Laçit, gjatë një kontrolli të automjetit me të cilin udhëtonin.
Gjatë kontrollit, efektivët e policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike të llojit kokainë, e cila ishte ndarë në 80 doza, gati për t’u shpërndarë. Nga hetimet paraprake, dyshohet se këta shtetas siguronin lëndën narkotike dhe më pas e ndanin në doza të vogla me qëllim shitjen në qytetin e Laçit.
Operacioni u realizua nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative. Si provë materiale, përveç lëndës narkotike, u sekuestruan edhe 1 automjet dhe 4 aparate celulare.
Materialet procedurale në ngarkim të dy të arrestuarve i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme ligjore.

