Dy të arrestuar në Durrës për vjedhje me armë dhe dhunë: Marvin Ferra dhe Rezi Kruta në pranga
Policia e Durrësit ka finalizuar dy operacione të veçanta, duke vënë në pranga dy persona të dyshuar si autorë të disa vjedhjeve me armë dhe me dhunë. Bëhet fjalë për shtetasit Marvin Ferra, 21 vjeç, dhe Rezi Kruta, 51 vjeç, ndaj të cilëve rëndojnë akuza për grabitje të ndodhura në zona të ndryshme.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Rada”, strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, arrestuan Marvin Ferrën, banues në fshatin Mafsheq, Krujë. Ai dyshohet se, më 19 qershor, rreth orës 02:30, i maskuar dhe i armatosur me automatik, tentoi të vidhte në oborrin e banesës së shtetases M. K., në fshatin Radë. Gjatë ndjekjes në zonën e Krujës, 21-vjeçari tentoi të largohej, por u neutralizua nga shërbimet e Policisë, të cilat gjatë kontrollit në banesën e tij sekuestruan dy armë zjarri si prova materiale.
Ndërkohë, operacioni policor “Bashkëpunëtori” çoi në identifikimin dhe ndalimin e Rezi Krutës, 51 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas akuzohet se, në bashkëpunim me T. M. (i arrestuar më parë në Tiranë në kuadër të operacionit “Taksimetri”), ka kryer dy vjedhje me dhunë. Incidentet ndodhën në fshatin Shënvlash dhe në zonën e Rinasit, ku Kruta transportonte me automjetin e tij taksi dy shtetas, të cilët më pas u bënë viktima të vjedhjes. Hetimet e thelluara dhe analiza e pamjeve filmike kanë dokumentuar rolin e R. K. si transportues i T. M. gjatë grabitjeve të ndryshme, përfshirë ato ndaj taksistëve të tjerë në qytete si Tirana, Kruja dhe Durrësi. Në banesën dhe garazhin e tij janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale lidhur me këto ngjarje.
Këto arrestime vijnë si rezultat i punës së pandërprerë të strukturave hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës për zbardhjen e vjedhjeve me armë dhe dhunë. Policia thekson se brenda 24 orëve të fundit u finalizuan dy operacione për identifikimin dhe kapjen e autorëve, duke garantuar dokumentimin ligjor të ngjarjeve përmes veprimeve hetimore dhe analizimit të pamjeve filmike.
Materialet e mbledhura për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore.

