Raporti i UNESCO-s: Shqipëria, ndër vendet me lëvizshmërinë më të lartë studentore drejt universiteteve jashtë
Të rinjtë shqiptarë po zgjedhin gjithnjë e më shumë arsimin e lartë jashtë kufijve të vendit, duke e renditur Shqipërinë si një nga vendet me ritmin më të lartë të lëvizshmërisë studentore në rajon, sipas një raporti të fundit të UNESCO-s.
Dokumenti thekson se ky fenomen është i ndikuar nga një sërë faktorësh kryesorë, duke përfshirë emigracionin afatgjatë, rënien e numrit të popullsisë së re, si dhe kërkimin për mundësi më të mira profesionale dhe akademike jashtë Shqipërisë.
Në dy dekadat e fundit, arsimi i lartë në Shqipëri ka pësuar ndryshime të konsiderueshme. Në vitin 2003, vetëm 16% e të rinjve ishin të regjistruar në universitet, ndërsa në vitin 2024 kjo shifër ka arritur në rreth 82%. Ky zgjerim tregon një rritje të ndjeshme të aksesit në arsimin universitar brenda vendit.
Megjithatë, paralel me këtë rritje të pjesëmarrjes në arsimin e lartë vendas, është thelluar edhe prirja për të studiuar jashtë Shqipërisë. UNESCO vëren se vala e emigracionit e filluar në vitet ’90 vazhdon të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë, duke u reflektuar fuqishëm edhe te brezat e rinj universitarë.
Raporti saktëson se largimi i studentëve nuk është domosdoshmërisht negativ, pasi mund të sjellë përfitime të rëndësishme në formimin profesional dhe akademik të individëve. Megjithatë, sfida kryesore mbetet kthimi i tyre dhe integrimi i suksesshëm në tregun vendas të punës, në mënyrë që njohuritë dhe aftësitë e fituara jashtë vendit të kontribuojnë në zhvillimin kombëtar.
Një shqetësim i ngritur në raport është ndikimi i tkurrjes së popullsisë në moshë universitare dhe emigrimi i të rinjve në të ardhmen e universiteteve shqiptare.
Me më pak studentë çdo vit dhe me kërkesën në rritje të ekonomisë për profesionistë të kualifikuar, Shqipëria përballet me detyrën për të hartuar strategji që ose t’i mbajë talentet brenda vendit, ose të krijojë kushtet e nevojshme për kthimin dhe integrimin e tyre pas përfundimit të studimeve jashtë, duke siguruar kështu një zhvillim të qëndrueshëm.

