Zjarr i madh në Vranisht të Himarës, ndërhyrje ajrore për mbrojtjen e banesave
Një zjarr me përmasa të konsiderueshme ka përfshirë fshatin Vranisht në Bashkinë Himarë, duke shkaktuar një situatë kritike. Flakët, të cilat janë përhapur me shpejtësi, rrezikojnë drejtpërdrejt disa banesa në zonë, ndërkohë që i gjithë rajoni është mbuluar nga një re e dendur tymi.
Forcat zjarrfikëse të Bashkisë Himarë kanë qenë në terren prej orësh, duke u përpjekur të vënë nën kontroll situatën. Megjithatë, era e fortë ka favorizuar përhapjen e shpejtë të zjarrit në terrenin e vështirë, duke penguar ndjeshëm ndërhyrjen efektive nga toka. Për pasojë, si mbështetje, kanë mbërritur në vendngjarje edhe zjarrfikës nga Vlora.
Për shkak të intensitetit të flakëve dhe vështirësisë së ndërhyrjes tokësore, është kërkuar dhe po kryhet ndërhyrje ajrore. Në operacion janë angazhuar një helikopter shtesë, si dhe një avion i tipit “Air Tractor”, me objektiv frenimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit dhe mbrojtjen e pronave rezidenciale nga dëmet e mundshme.

