Regjisor francez do të realizojë film për Alket Rizain, gazetarja Kadillari thekson arratisjet “spektakolare”
Një regjisor francez pritet të sjellë në ekranin e madh historinë e Alket Rizait, i njohur për arratisjet e tij të bujshme nga burgjet greke. Këtë lajm e ka bërë të ditur gazetarja Aulona Kadillari gjatë emisionit “Now” në Euronews Albania, duke theksuar se arratisjet e Rizait kanë qenë “spektakolare”.
Rizai, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Greqi për vrasje dhe tentativë vrasjeje, u bë i famshëm për mënyrën e veçantë të arratisjes, shpesh me përdorimin e helikopterit nga burgu.
Sipas Kadillarit, Rizait i janë dhënë plot 17 leje nga burgu në periudhën 2021-2026, nga të cilat 16 kanë qenë të posaçme. Ajo shtoi se besimi i fituar nga autoritetet greke, për shkak të rikthimeve të tij pas lejeve të mëparshme, kishte ndikuar në dhënien e këtyre lejeve.
Megjithatë, së fundmi, Rizai është përfshirë në një incident me armë zjarri në një zonë plazhi në jug të Athinës, ndërsa ndodhej me leje. Pas një konflikti të dyshuar në një lokal, raportohet se janë shkëmbyer të shtëna, duke lënë dy persona të plagosur.
Autoritetet greke vazhdojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota dhe origjinën e plagosjeve. Verifikimet paraprake sugjerojnë se Rizai mund të ketë qëlluar në ajër dhe plumbat të kenë bërë rikoshet, duke shkaktuar plagosjet.
Rizai duhej të ishte rikthyer në institucionin korrektues pas përfundimit të lejes. Mbetet ende e paqartë nëse largimi i tij i tanishëm është i lidhur me incidentin e armëve apo nëse kishte një planifikim për të mos u kthyer në burg.

