Top 5 This Week

Related Posts

Sindikata e Universiteteve në krah të studentëve: Dënojmë dhunën, kërkojmë dialog dhe zgjidhje konkrete

Sindikata e Universiteteve dënon dhunën ndaj studentëve, kërkon dialog dhe zgjidhje konkrete

Sindikata e Universiteteve (SU) ka shprehur solidaritetin e saj të plotë me studentët protestues, duke dënuar ashpër dhunën e ushtruar nga forcat e rendit ndaj tyre. Në një deklaratë të fundit, sindikata kërkon nga autoritetet vetëpërmbajtje, respektim të të drejtave dhe lirive themelore, si dhe garantimin e ushtrimit paqësor të së drejtës për protestë.

Sipas Sindikatës së Universiteteve, përshkallëzimi i situatës aktuale është një pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së reagimit dhe neglizhimit të vazhdueshëm të kërkesave qytetare nga qeveria dhe politika në tërësi. Ajo thekson se, edhe pas një proteste që ka zgjatur plot 135 ditë, kërkesat e studentëve dhe qytetarëve nuk kanë gjetur përgjigjen dhe vëmendjen e duhur, duke rrezikuar thellimin e mosbesimit ndaj institucioneve për shkak të mungesës së dialogut.

Sindikata ka vënë në dukje se studentët zgjodhën të protestonin pikërisht para Ministrisë së Arsimit, një institucion që duhet t’u shërbejë atyre. Ajo bën me dije se edhe vetë Sindikata e Universiteteve i është drejtuar ministrisë me një shkresë zyrtare që në muajin mars të këtij viti, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. “Heshtja që studentët hasën sot në rrugë është e njëjta heshtje që personeli akademik has prej muajsh në korrespondencën institucionale,” thuhet në deklaratë, duke e cilësuar këtë situatë si shprehje të një marrëdhënieje të prishur mes institucionit dhe komunitetit që ai duhet të shërbejë.

Në këtë kuadër, Sindikata e Universiteteve u bën thirrje të gjithë pedagogëve, kërkuesve shkencorë, punonjësve të universiteteve dhe gjithë komunitetit akademik që të qëndrojnë krah studentëve. Kërkesat për arsim cilësor, kushte dinjitoze studimi e pune dhe trajtim të drejtë të problemeve të arsimit të lartë konsiderohen si një kauzë e përbashkët, për të cilën universiteti nuk mund të jetë spektator i heshtur.

Në fund të deklaratës së saj, Sindikata e Universiteteve i bën thirrje qeverisë dhe të gjithë aktorëve politikë që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të angazhohen menjëherë në një proces real dialogu, me qëllim shqyrtimin dhe zgjidhjen konkrete të kërkesave të studentëve dhe personelit akademik. Përgjigjet formale, heshtja apo shtyrja e zgjidhjeve nuk mund të zëvendësojnë përgjegjësinë institucionale dhe politike. Sindikata thekson se dialogu, përgjegjësia institucionale dhe zgjidhja konkrete e kërkesave janë e vetmja rrugë për të kapërcyer situatën e krijuar, ndërsa paralajmëron se nëse konfigurimi aktual politik nuk arrin të ofrojë zgjidhje, duhet të hapet rruga për opsione politike që mundësojnë kapërcimin e krizës, në përputhje me parimet demokratike dhe vullnetin qytetar.

Popular Articles