Trazira të dhunshme në Barcelonë: Mbi 100 të arrestuar dhe dëme të konsiderueshme në biznese
Trazira të rënda janë regjistruar të shtunën pasdite në qendër të Barcelonës, pas një proteste të organizuar përmes rrjeteve sociale me sloganin “Kundër sistemit”. Incidente të dhunshme rezultuan në dëmtimin dhe plaçkitjen e bizneseve, si dhe në ndalimin e mbi 100 personave nga policia.
Gjatë trazirave, 14 biznese u dëmtuan dhe u plaçkitën, ndërsa dëme të konsiderueshme u shkaktuan edhe në stacionet e autobusëve dhe kazanët e mbeturinave. Situata detyroi disa dyqane të mbyllnin dyert, duke lënë qindra qytetarë të bllokuar brenda ambienteve tregtare për arsye sigurie.
Për menaxhimin e situatës u mobilizuan më shumë se 220 efektivë të Policisë Katalanase dhe Policisë Bashkiake të Barcelonës. Sipas informacioneve paraprake, janë kryer mbi 100 arrestime, ku rreth 25% e personave të ndaluar raportohet të jenë të mitur.
Tubimi, i organizuar pa njoftim zyrtar paraprak përmes rrjeteve sociale, pa shumë prej pjesëmarrësve të rinj të veshur me të zeza dhe me fytyra të mbuluara. Trazirat u përhapën në disa prej zonave kryesore të qytetit, përfshirë Plaça Catalunya, La Rambla, Portal de l’Angel dhe rrugët përreth. Në përgjigje të kësaj, autoritetet bashkiake shtuan masat e sigurisë dhe praninë policore në zonat e prekura.

