Berisha akuzon rëndë Policinë pas protestës: Kryeqyteti përjetoi terror, dhunë ndaj protestuesve dhe ngacmime seksuale
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli në një deklaratë për shtyp pas përfundimit të protestës në Tiranë, duke ngritur akuza të rënda ndaj Policisë së Shtetit për përdorim të dhunës dhe akte të paligjshme kundër protestuesve. Sipas Berishës, kryeqyteti përjetoi “një ditë dhe natë terrori si kurrë ndonjëherë më parë”, ndërsa “narkobanditë me uniformë të ‘Shqiponjave’ dhe ‘RENEA-s’” ushtruan dhunë të paparë ndaj protestuesve paqësorë, duke qëlluar edhe me mjete zjarri.
Kreu i PD-së ngriti shqetësimin për disa persona të lënduar rëndë. Ai theksoi rastin e Erjon Vishkurtit, një i diplomuar në gazetari, i cili sipas tij humbi syrin pa kryer asnjë veprim të dhunshëm. Gjithashtu, Berisha përmendi plagosjen në sy të një protestueseje tjetër, goditjen me plumb mbi vetull të një protestuesi dhe plagosjen në abdomen me plumb të një tjetri, duke kërkuar operacion. Ndër të tjera, u denoncua edhe shkelmimi “barbarisht” në kokë e trup i 40-vjeçarit Lorenco Bezani.
Berisha denoncoi gjithashtu dhjetëra shoqërime të paligjshme në komisariate, ku persona pa lidhje me protestën u “torturuan dhe terrorizuan”. Një akuzë tjetër e rëndë nga kreu i opozitës ishte ajo se “banditë të droguar me uniformë” ngacmojnë seksualisht vajzat, dhe jo vetëm, që shoqërohen në makinat e tyre policore.
Në fund të deklaratës së tij, Sali Berisha paralajmëroi se efektivët përgjegjës do të përballen me ligjin për “krime të shëmtuara” pas largimit të “padronit” të tyre, duke theksuar se këto njësi do të shkrihen dhe secili prej tyre do të procedohet individualisht mbi bazën e veprës penale që ka kryer.

