Top 5 This Week

Related Posts

Gjykata e Fierit pranon kërkesën e Sokol Hoxhës për parashkrimin e dënimit për vrasjen e dy vëllezërve në Patos

Gjykata e Fierit parashkruan dënimin e Sokol Hoxhës për vrasjen e dy vëllezërve në Patos, por ai mbetet në burg

Gjykata e Fierit ka pranuar kërkesën për parashkrimin e dënimit penal prej 25 vitesh burgim, vendosur ndaj Sokol Hoxhës, në lidhje me vrasjen e dy vëllezërve Hektor dhe Ilirjan Banaj, ngjarje e ndodhur në Patos në mars të vitit 1997. Megjithatë, ky vendim nuk do të sjellë lirimin e tij, pasi Hoxha do të vijojë të qëndrojë në burg për shkak të një dënimi të përjetshëm në Belgjikë.

Vendimi i fundit i Gjykatës së Fierit u shpall këtë të hënë nga gjyqtarja Aurora Tusha, duke iu përgjigjur kërkesës së 51-vjeçarit dhe propozimit të prokurores së çështjes, Malbora Dinaj. Organi i akuzës argumentoi se dënimi i Hoxhës ishte parashkruar, duke qenë se kishin kaluar afatet e përcaktuara në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, specifisht afati 20-vjeçar.

Një javë më parë, gjyqtarja Tusha kishte shtyrë shqyrtimin e çështjes deri më 12 tetor, me qëllim marrjen e opinionit të Gjykatës së Lartë lidhur me kërkesën për konstatimin e parashkrimit të dënimit.

Pavardësisht vendimit të drejtësisë shqiptare, Sokol Hoxha do të mbetet i izoluar. Burime nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier kanë bërë të ditur se ai kërkohet nga autoritetet belge dhe është dënuar me burgim të përjetshëm në Belgjikë për një tjetër vrasje.

Dënimi me burgim të përjetshëm në Belgjikë lidhet me vrasjen e një personi me inicialet B.D., ngjarje e ndodhur më 29 gusht 1997 në Bruksel. Sipas hetimeve të kohës, viktima dyshohej se shfrytëzohej për prostitucion dhe vrasja erdhi si pasojë e kundërshtimit të saj ndaj këtij shfrytëzimi. Vendimi i Gjykatës belge ndaj Hoxhës mori formë të prerë në vitin 2010.

Në Shqipëri, Sokol Hoxha u dënua me 25 vite burg nga Gjykata e Fierit në vitin 2000, për vrasjen e vëllezërve Ilirjan dhe Hektor Banaj, pranë tregut të fruta-perimeve në Patos. Raportimet e kohës sugjerojnë se konflikti fatal dyshohet të ketë nisur për një kasetofon makine.

Pas ngjarjes në Shqipëri, Hoxha u largua fillimisht në Greqi dhe më pas u zhvendos në Belgjikë. Arrestimi i tij u bë në maj të këtij viti në Ohio të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas një arratie që zgjati gati tri dekada, gjatë së cilës ai përdorte identitetin Hysen Gashi.

Arrestimi i Sokol Hoxhës u realizua në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Globi”, falë bashkëpunimit efikas mes agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë, Belgjikës dhe Shteteve të Bashkuara. Më 6 gusht, Hoxha u ekstradua në Shqipëri dhe u dërgua në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin e shqiptar.

Pas mbërritjes në territorin shqiptar, ai menjëherë paraqiti kërkesën për konstatimin e parashkrimit të dënimit penal, me argumentin se afatet ligjore kishin skaduar. Kjo kërkesë tani është pranuar nga Gjykata e Fierit, me Prokurorinë që ishte dakord me vendimmarrjen.

Popular Articles