Protesta në Mynih dhe Këln: Diaspora kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara për UÇK-në
Dy tubime proteste u mbajtën në Gjermani, në qytetet Mynih dhe Këln, si reagim ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, i cili dënoi katër ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në këto tubime morën pjesë emigrantë shqiptarë, të cilët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të gjykatës. Sipas platformës “Liria ka Emër”, protesta në Këln ishte pjesë e një vale më të gjerë tubimesh të organizuara nga diaspora shqiptare pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë.
Këto protesta u zhvilluan vetëm pak ditë pas datës 16 shtator, kur Dhomat e Specializuara shpallën vendimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Ish-Presidenti Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa ish-kreu i SHIK-ut Veseli me 18 vjet dhe ish-deputeti Selimi me 13 vjet burg. Në total, dënimi i tyre arrin në 81 vjet heqje lirie. Ata u shpallën fajtorë për krime lufte, por u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Ky vendim shkaktoi reagime të shumta dhe valë protestash fillimisht në Kosovë, ku mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë, dhe më pas këto tubime u shtrinë edhe në mesin e diasporës.
Ndër kërkesat kryesore të protestuesve në Prishtinë ishin ndryshimi ose shfuqizimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe mbështetja financiare për mbrojtjen ligjore të ish-drejtuesve të UÇK-së.

