Sesioni i ri Parlamentar çel dyert mes axhendës së ngjeshur dhe protestës jashtë godinës
Kuvendi i Shqipërisë rihap dyert sot, pas pushimeve verore, për të çelur sesionin e ri të legjislaturës së 11-të. Kjo ditë shënon jo vetëm rikthimin e deputetëve në punë, por edhe fillimin e një periudhe të ngjeshur me reforma kyçe, ndërsa jashtë godinës së Parlamentit pritet të mbahet një protestë.
Seanca plenare do të nisë në orën 17:00 dhe, siç është traditë për hapjen e sesioneve, pritet të ketë një karakter kryesisht ceremonial. Fjalën e rastit do ta mbajë kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, pas së cilës do të ndiqen procedurat e zakonshme për nisjen zyrtare të punës, si dhe miratimi i dokumentacionit të mbetur nga seanca e fundit e korrikut.
Më herët, rreth orës 11:00, është parashikuar mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, ku do të diskutohen dhe miratohen programi i punës dhe kalendari i seancave për periudhën në vijim.
Lidhur me pjesëmarrjen e figurave kryesore politike, nuk është konfirmuar ende nëse kryeministri Edi Rama do të jetë i pranishëm në seancën hapëse. Ndërkohë, lideri i opozitës, Sali Berisha, pritet të mungojë për shkak të një vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sesioni i ri parlamentar parashikohet të jetë i ngarkuar politikisht, me një sërë çështjesh të rëndësishme në axhendë. Në fokus do të jenë veçanërisht reforma zgjedhore dhe riorganizimi administrativ-territorial, dy tema që pritet të gjenerojnë debate të forta politike.
Veçanërisht riorganizimi administrativ-territorial ka shkaktuar polemika të theksuara. Drafti i propozuar nga Partia Socialiste, i cili parashikon shkrirjen e 15 bashkive aktuale, është kundërshtuar ashpër nga opozita dhe nga grupe të ndryshme qytetarësh, të cilët kanë organizuar edhe tubime proteste.
Pikërisht në këtë ditë të rikthimit të deputetëve, jashtë godinës së Parlamentit është thirrur një protestë. Organizatorët kanë bërë thirrje për një reagim të fortë kundër ligjvënësve, duke paralajmëruar edhe hedhjen e vezëve dhe domateve si shenjë pakënaqësie. Kjo situatë ka shtyrë Policinë e Shtetit të marrë masa shtesë për garantimin e rendit dhe sigurisë rreth Parlamentit, gjatë zhvillimit të seancës së parë të sesionit të ri.

