Klevis Balliu: Vizita e Berishës në SHBA, sinjal i ndryshimit dhe shembje e “malit të shpifjeve”
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, e ka cilësuar vizitën e kryetarit të partisë, Sali Berisha, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një ngjarje me rëndësi të veçantë. Këto komente, Balliu i bëri gjatë një interviste për emisionin “Now” në Euronews Albania.
Sipas Balliut, prania e Berishës në SHBA përbën një sinjal të rëndësishëm për ndryshimin që qytetarët shqiptarë presin. Ai theksoi se vizita dëshmon “pastërtinë e figurës së Sali Berishës” përballë akuzave dhe shpifjeve të cilat, sipas tij, janë fabrikuar ndaj liderit të opozitës.
“Kjo vizitë është një fitore e së vërtetës mbi të keqen dhe shënon shembjen e malit të shpifjeve të financuara nga paraja e korrupsionit dhe drogës,” deklaroi Balliu. Ai akuzoi kundërshtarët politikë se kanë shfrytëzuar shpifjet për të dëmtuar imazhin e Berishës, me qëllim që t’i krijojnë mundësi qeverisë së Edi Ramës të vazhdojë qeverisjen pa pengesa.
Deputeti demokrat vuri në dukje se mbështetja e vazhdueshme e qytetarëve dhe zhvillimet e fundit kanë treguar se akuzat ndaj Berishës nuk qëndrojnë. “Ky është një moment i mbështetjes së qytetarëve dhe i pastërtisë së Sali Berishës, i faktuar edhe përtej oqeanit. Çdo qytetar sot mund të jetë shpresëplotë, se ndryshimi po vjen,” përfundoi Klevis Balliu.

