Avokat në SHBA gjobitet pasi përdori ChatGPT, AI gjeneroi dëshmi të rreme në gjyq
Një avokat mbrojtës në New Mexico të Shteteve të Bashkuara është gjobitur me 5 mijë dollarë nga Gjykata e Lartë e shtetit, pasi përdori Inteligjencën Artificiale ChatGPT për përgatitjen e një ankimi, i cili rezultoi me përfshirjen e fakteve dhe dëshmive të sajuara.
Avokati Stephen Aarons u shpall fajtor për mosrespektim të gjykatës, pasi dokumenti ligjor i përgatitur me ndihmën e ChatGPT përmbante dëshmi të rreme nga dëshmitarë të cilët në fakt nuk ekzistonin. Këto informacione u përdorën në një ankim për Oscar Renee Sandoval, i cili po vuan dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Ndër të dhënat e sajuara nga inteligjenca artificiale ishte edhe një përshkrim i pasaktë i veshjes së autorit të krimit, duke treguar thellësinë e dezinformacionit të gjeneruar.
Aarons, i cili ka ushtruar profesionin e avokatit prej më shumë se katër dekadash, pranoi se kishte përdorur ChatGPT për të përmbledhur të dhënat e çështjes gjyqësore. Ai u mbrojt duke pretenduar se nuk ishte në dijeni që një teknologji e tillë mund të “halucinonte”, duke gjeneruar informacione të pavërteta ose të pasakta.
Megjithatë, gjyqtarët e vënë në dyshim këtë argument. Ata theksuan se problemet e ndërlikuara që krijohen nga përdorimi i informacionit të sajuar nga AI në profesionin juridik janë raportuar gjerësisht dhe njihen botërisht.
Përveç gjobës prej 5 mijë dollarësh, çështja e avokatit Aarons do t’i referohet edhe bordit disiplinor të avokatëve për hetime të mëtejshme. Avokati ka shprehur keqardhjen e tij për situatën, duke deklaruar se shpreson që bordi disiplinor ta konsiderojë këtë ngjarje si një gabim të paqëllimshëm.

