Top 5 This Week

Related Posts

Besimtarët ortodoksë kremtojnë “Fjetjen e Hyjlindëses së Tërëshenjtë Mari”

Kisha Ortodokse kremton Fjetjen e Hyjlindëses Mari: Liturgji Hyjnore në mbarë Shqipërinë

Më 15 gusht 2026, besimtarët ortodoksë në Shqipëri dhe në mbarë botën kremtojnë një nga festat më të rëndësishme të kalendarit kishtar: Fjetjen e Hyjlindëses së Tërëshenjtë Mari, e njohur ndryshe edhe si “Marrja”. Kjo ditë shënon fjetjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Nënës së Zotit tonë, Jezu Krisht, duke u konsideruar si “Pashka e Verës”, e paraprirë nga një periudhë kreshme dhe përgatitore.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka njoftuar se kremtimet do të mbahen në të gjitha Mitropolitë, duke përfshirë Shërbesa të Shenjta dhe Liturgji Hyjnore, të cilat nisin në orën 07:30 dhe përfundojnë rreth orës 10:30.

Në Kryepiskopatën e Tiranës, shërbesat do të zhvillohen në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Kishën e Ungjillëzimit, si dhe në Kishën e Shën Gjerasimit dhe Gjithë Shenjtorëve në Kombinat. Për besimtarët në Durrës, ceremonitë do të mbahen në Manastirin e Shën Vlashit dhe në Katedralen e Shën Pavlit e Shën Astit. Festime të ngjashme do të ketë edhe në Kishën e Shën Nikollës në Kavajë dhe në Kishën e Metamorfozës në Lezhë.

Në jug të vendit, Mitropoliti Hirësia e Tij imzot Nathanaili do të drejtojë ceremoninë në Kishën e Fjetjes së Hyjlindëses Mari në Krioner, Gjirokastër. Në Berat, Mitropoliti Hirësia e Tij imzot Asti do të kryesojë shërbesën në Kishën e Fjetjes së Hyjlindëses Mari në lagjen Kala. Ndërsa në Korçë, besimtarët do të mblidhen në Manastirin e Fjetjes së Hyjlindëses Mari në Boboshticë, nën drejtimin e Mitropolitit Hirësia e Tij imzot Anastasit.

Manastiri i Fjetjes së Hyjlindëses Mari në Apolloni, Fier, do të jetë qendra e kremtimeve për atë zonë, të drejtuara nga Hirësia e Tij Mitropoliti i Fierit imzot Nikolla. Në Elbasan, shërbesa do të mbahet në Kishën e Shën Nikollës, nën drejtimin e Mitropolitit të Elbasanit Hirësisë së Tij imzot Andonit, si dhe në shumë kisha të tjera nëpër vend.

“Kjo është një nga të kremtet kishtare më të ndjera e më të festuara historikisht, gjë që dëshmohet edhe nga numri i madh i kishave dhe manastireve që ekzistojnë në vendin tonë dhe në të gjithë botën ortodokse, të kushtuara Hyjlindëses së shenjtë, nënës së dashur të të gjithë botës,” thuhet në njoftimin e Kishës Ortodokse. Gjatë kësaj dite, kishat dhe manastiret e kushtuara Hyjlindëses Mari kthehen në vende lutjeje, adhurimi dhe pelegrinazhi, ku të gjithë pjesëmarrësit përjetojnë dashurinë dhe dhembshurinë e së Tërëshenjtës Mari, e cila dëgjon lutjet e të gjithëve.

Popular Articles