Top 5 This Week

Related Posts

38 vatra zjarri gjatë ditës, 14 mbeten aktive

Ministria e Mbrojtjes: 38 vatra zjarri në vend, 14 mbeten aktive

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën e zjarreve në të gjithë territorin e vendit, duke raportuar se deri në orën 20:00 të datës 13 gusht, janë regjistruar gjithsej 38 vatra zjarri. Nga këto, 14 vatra mbeten ende aktive, ndërsa 18 janë në ndjekje, me 2 në monitorim dhe 2 të tjera të vendosura nën kontroll.

Për t’i bërë ballë situatës së krijuar, Forcat e Armatosura kanë angazhuar një kontingjent të gjerë forcash dhe mjetesh. Në terren janë 309 efektivë, të mbështetur nga 22 mjete transporti, përfshirë 1 autobot, 3 ambulanca dhe 9 mjete zjarrfikëse. Për ndërhyrje nga ajri janë vënë në dispozicion 3 helikopterë dhe 2 avionë të tipit “Air Tractor”.

Në Qarkun e Tiranës, operacionet vijojnë me intensitet në zonat e Dajtit dhe Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër. Pavarësisht terrenit të vështirë dhe përhapjes fillestare të zjarreve, Ministria e Mbrojtjes siguron se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Krujë, falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave operacionale dhe Forcave të Armatosura, të mbështetura nga një helikopter, vatra e zjarrit në lagjen Abaze është vendosur nën kontroll. Gjithashtu, sipas njoftimit, në zonat Bojë, Krastë dhe Halil nuk raportohen më vatra aktive.

Operacioni më i madh dhe më sfidues vijon në zonën Gurë-Lurë të Dibrës. Aty, falë një ndërhyrjeje të koordinuar, është vendosur nën kontroll perimetri pranë banesave, duke shmangur rrezikun e djegies së tyre. Puna vazhdon në dy drejtime të tjera për shuarjen e plotë të zjarrit.

Ministria njofton se operacionet për shuarjen e zjarreve vijojnë me intensitet të lartë edhe në Përmet, Devoll, Mirditë, Shkodër, Elbasan dhe Finiq. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Në përfundim, Ministria e Mbrojtjes thekson se kapacitetet operacionale mbeten plotësisht të angazhuara në terren dhe në gatishmëri të lartë për të ndërhyrë kudo ku situata e kërkon, duke patur si prioritet kryesor mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Popular Articles