Top 5 This Week

Related Posts

Rama ironizon influencerët: Protesta është kthyer në treg klikimesh dhe vëmendjeje, patriotë që s’ia kanë haberin punës

Kryeministri Rama ironizon “influencerët” e protestave: Një treg klikimesh dhe karrierash, jo angazhim qytetar

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish protestat e zhvilluara kundër projektit të investimit në Zvërnec, duke vënë në shënjestër atë që ai i quajti “influencerë” të rrjeteve sociale. Gjatë mbledhjes së zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u shpreh se shumë prej tyre i janë bashkuar debatit publik jo për angazhim qytetar, por për të rritur vëmendjen dhe praninë e tyre online.

Sipas Kryeministrit, këta individë nuk kanë pasur më parë angazhim të thellë në çështje politike apo shoqërore, por po shfrytëzojnë valën e protestave si një “trend” për t’u shfaqur dhe për të mos mbetur jashtë vëmendjes. “Në ekonominë e vëmendjes heshtja nuk shpërblehet. Shpërblehet vetëm pjesëmarrja, ai që ka kurajon të hyjë në garë, ai që bën videon më dramatike,” deklaroi Rama, duke theksuar se shpesh nuk ka rëndësi vendndodhja apo fakti, mjafton t’i vendosësh një shenjë si ‘Tiranë’, edhe pse kryeqyteti s’ka det.

Rama e karakterizoi situatën si një transformim të protestës nga një akt qytetar në “një treg emocionesh, klikimesh dhe karrierash”. Ai theksoi se ata që ndërtojnë karriera në këtë mënyrë janë më “qesharakët”, pasi ende nuk e kanë kuptuar se “me Partinë Socialiste nuk fitohet duke dalë me lugën e ndryshkur në tregun e karrierave të humbura”.

Kryeministri shtoi se në epokën e rrjeteve sociale, algoritmet favorizojnë përmbajtjet që krijojnë reagime të forta dhe dramatike, duke lënë pas dore thelbin e debatit dhe argumentet e fakteve. Ai renditi një sërë kategorish që, sipas tij, promovohen nga këta algoritme: “profetët që lajmërojnë fundin e botës, analistët që bëjnë analiza pa fakte, strategët që nuk dinë çfarë është të bësh një strategji sektoriale, revolucionarët që ushqehen me ëndrrën e revolucionit por që s’kanë lidhje me të, patriotë që nuk ia kanë haberin punës, njerëz që s’kanë ndërtuar kurrë asgjë”.

Në përfundim, Rama theksoi se për këta individë, thelbi nuk qëndron te ajo çfarë ndërtohet apo si, por te çfarë duhet shembur dhe si të mbledhin sa më shumë “like” dhe ndjekës në platformat sociale.

Popular Articles