Top 5 This Week

Related Posts

Trafiku i 17 tonëve kokainë nga Amerika Latine, SPAK sekuestron rreth 850 mijë euro pasuri të vëllezërve Çela dhe Çopja

SPAK sekuestron pasuri rreth 850 mijë euro nga vëllezërit Çela dhe Çopja, në hetim për trafik ndërkombëtar kokaine

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 850 mijë euro nga vëllezërit Çela dhe Çopja. Ky veprim vjen në kuadër të një hetimi për një organizatë kriminale të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Amerika Latine dhe pastrim parash.

Në kuadër të procedimit penal nr. 187 të vitit 2023, SPAK ka zhvilluar një hetim pasuror paralel, duke identifikuar pasuri që dyshohet se janë produkte të veprimtarisë kriminale. Përmes vendimit nr. 667, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë caktoi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të shtetasve A.Ç. dhe F.C., me vlerë totale 77,000,000 lekë.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë një tokë arë me sipërfaqe 2000 m2 në Sharrë të Tiranës, në pronësi të A.Ç. dhe një tjetër shtetaseje me të njëjtat iniciale, si dhe kuotën 100% të shoqërisë tregtare “Check Company Sh.p.k” në rrugën e Dibrës, Tiranë, në pronësi të F.C. Kjo kompani posedon gjithashtu 24 automjete Volkswagen (modelet Ioniq5, ID3 dhe ID4) dhe 1 automjet Toyota (modeli bZ3).

Shtetasit nën hetim, mes të cilëve E.Ç, A.Ç, F. G (alias F.Ç) dhe G.Ç, akuzohen për trafik të lëndëve narkotike, pastrim të produkteve të veprës penale, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale. Hetimet, që përfshinë bashkëpunim intensiv me EUROPOL dhe autoritete nga Belgjika, Franca, Holanda, Gjermania dhe Italia, u bazuan në analizën e të dhënave të komunikimeve të enkriptuara të platformës SkyECC. Ato zbuluan dërgesa shumëtonëshe kokaine nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, si Hamburgu dhe Anversi, si dhe dokumentuan rolet e secilit anëtar të grupit dhe zinxhirin e transferimit të shumave monetare të përfituara nga aktiviteti kriminal, të cilat investoheshin në prona dhe biznese brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ndaj 16 personave janë caktuar masa të sigurimit personal.

Popular Articles