Trump: Paqja në Ukrainë më afër se kurrë, pas lirimit të qytetarit amerikan
Donald Trump, Presidenti amerikan, ka deklaruar sërish se fundi i luftës në Ukrainë po afron dhe se vendi ndodhet më pranë paqes se kurrë më parë.
Këto deklarata, Trump i bëri në kuadër të komentimit të lirimit nga pala ruse të Steven Hubbard, një mësues i pensionuar amerikan, i cili ishte arrestuar pasi kishte luftuar në anën e Ukrainës. Sipas Trump, ky zhvillim erdhi pas një bisede që ai zhvilloi me Presidentin rus, Vladimir Putin, me temë përfundimin e luftës. Ai theksoi se Rusia “nuk dha asgjë në këmbim” të lirimit. Gjatë një diskutimi në Shtëpinë e Bardhë mbi krimin kibernetik, Trump citohet të ketë thënë: “Unë thashë, ‘A mund ta lironi Stephen Hubbard?’ … dhe tani ai është duke u kthyer.”
Edhe Yuri Ushakov, një bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit rus Vladimir Putin, shprehu më parë vlerësimin se konflikti në Ukrainë po shkon drejt fundit. Ushakov citohet të ketë thënë: “Konflikti ukrainas po i afrohet fundit.” Dhe duke iu përgjigjur një pyetjeje për perspektivat e përfundimit të konfliktit, ai shtoi: “Nuk e di sa afër jemi, por gjërat po lëvizin në atë drejtim.”
Ushakov njoftoi gjithashtu se Rusia është e gatshme të rifillojë bisedimet trepalëshe me Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën rreth mesit të nëntorit, të cilat pritet të mbahen në Abu Dhabi.

