Policia shoqëron të dyshuarin për zjarrin masiv në Peqin
Pas tre ditësh përpjekjesh intensive për shuarjen e flakëve në fshatrat e Peqinit, autoritetet policore kanë shoqëruar një person, i cili dyshohet se është përgjegjës për shpërthimin e zjarrit.
Sipas dyshimeve fillestare, i shoqëruari mendohet se ka ndezur zjarr për nevoja personale, por për shkak të përhapjes së shpejtë në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, si dhe të ndikimit të erës së fortë, flakët kanë dalë jashtë kontrollit.
Ndërkohë, qindra forca zjarrfikëse dhe dhjetëra mjete nga 11 bashki të ndryshme të vendit janë angazhuar në terren që prej orës 05:00 të mëngjesit të sotëm. Ekipet po vazhdojnë punën për të vënë nën kontroll vatrat aktive, të cilat vazhdojnë të paraqesin rrezik në zonë.
Për shkak të dinamikës së zjarrit dhe ndryshimit të vazhdueshëm të drejtimit të erës, një shtëpi e pabanuar është përfshirë tërësisht nga flakët, duke theksuar vështirësinë e situatës.

