Përplasje fizike para Kuvendit: Banorë protestues përballen me deputetin Erion Braçe
Një situatë e tensionuar dhe një përplasje fizike janë regjistruar mesditën e kësaj të premte pranë ambienteve të Kryesisë së Kuvendit. Banorë nga Memaliaj dhe Fushë-Arrëzi, të mbledhur në protestë kundër propozimeve për hartën e re territoriale, u përfshinë në një konfrontim me deputetin e Partisë Socialiste, Erion Braçe.
Incidenti ndodhi kur deputeti Braçe po tentonte të hynte në godinën e Kuvendit. Pas kësaj, ai u afrua drejt grupit të protestuesve me qëllim sqarimin e situatës, por biseda agravoi shpejt, duke çuar në një përplasje fizike mes tij dhe disa prej demonstruesve.
Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan momentet e tensionit. Për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit dhe për të qetësuar situatën, ndërhyri deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, i cili ndau palët e përfshira në incident.

