Ngjarje me armë zjarri në Krumë të Hasit: Plagoset një person, autori shpallet në kërkim
Një ngjarje e rëndë me armë zjarri ka tronditur pasditen e sotme qytetin e Krumës, në Bashkinë Has, ku një 29-vjeçar ka mbetur i plagosur.
Sipas informacioneve paraprake nga Policia e Shtetit, rreth orës 17:10 të datës 8 shtator 2026, në zonën e njohur si “Kryqezi i Spitalit”, shtetasi J. A., banues në Krumë, është plagosur me armë zjarri në këmbë. Dyshohet se ngjarja ka ardhur si pasojë e një konflikti për motive të dobëta.
Autoritetet bëjnë me dije se autori i dyshuar i plagosjes është shtetasi F. D., rreth 30 vjeç, i cili pas ngjarjes është larguar nga vendi i krimit dhe aktualisht është shpallur në kërkim nga shërbimet policore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka mbërritur në vendngjarje dhe po kryen veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave, mbledhjen e provave materiale dhe dokumentimin ligjor të rastit.

