Top 5 This Week

Related Posts

“Nuk e ndiej veten fajtore”, Fatime Kryemadhi tërhiqet nga gjykimi i shkurtuar

Fatime Kryemadhi tërhiqet nga gjykimi i shkurtuar, kundërshton akuzat për pastrim parash

Fatime Kryemadhi, nëna e ish-deputetes Monika Kryemadhi, ka tërhequr kërkesën e saj për gjykim të shkurtuar në procesin penal ku ajo akuzohet për veprën penale të pastrimit të parave. Ky zhvillim u regjistrua gjatë seancës së fundit të zhvilluar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Në momentin kur prokuroria e SPAK pritej të paraqiste pretencën përfundimtare, Kryemadhi shprehu kundërshtimin e saj për të vazhduar me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Ajo theksoi se nuk e ndjen veten fajtore për akuzat e ngritura dhe kritikoi organin e akuzës se nuk ka marrë në konsideratë të ardhurat e saj. “Nuk dua gjykim të shkurtuar. Nuk e ndjej veten fajtore. SPAK nuk ka marrë asgjë parasysh nga të ardhurat e mia,” u shpreh ajo para trupit gjykues.

Pas deklaratës së saj, gjyqtarja sqaroi të pandehurën se gjykimi i shkurtuar nuk nënkupton automatikisht pranimin e fajësisë. Ajo theksoi se ky lloj gjykimi bazohet në aktet dhe provat e administruara gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit, duke ofruar një procedurë të përshpejtuar dhe përfitime të caktuara ligjore.

Pas qëndrimit të Fatime Kryemadhit për të hequr dorë nga kërkesa, pritet që gjykata të marrë një vendim mbi vijimin e mëtejshëm të procedurës penale, e cila tashmë mund të zhvillohet sipas rregullave të gjykimit të zakonshëm.

Popular Articles