Arrestohet në Gjirokastër 43-vjeçari i kërkuar ndërkombëtarisht nga Spanja për kultivim droge dhe vjedhje energjie
Policia shqiptare ka finalizuar me sukses një operacion duke arrestuar këtë të martë në Gjirokastër një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle. Bëhet fjalë për K. B., 43 vjeç, i cili akuzohet për veprat penale të kultivimit të bimëve narkotike dhe vjedhjes së energjisë elektrike në Spanjë.
Arrestimi i tij vjen në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe operacionit “Fugitive”, duke bërë të mundur kapjen e individit me qëllim ekstradimin drejt Spanjës.
Sipas njoftimit të policisë, Gjykata e Sabadellit në Spanjë i ka caktuar shtetasit K. B. masën e sigurisë “Arrest në burg” në muajin qershor 2025, për dy veprat penale për të cilat akuzohet.
Operacioni u realizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin Operacional të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër. Informacionet mbi vendndodhjen e tij u siguruan në rrugë operative.
Aktualisht, Interpol Tirana po vijon bashkëpunimin intensiv me homologët e Interpol Madridit, me qëllim finalizimin e të gjitha procedurave të nevojshme për ekstradimin e 43-vjeçarit në Spanjë.

