Kombëtarja Shqiptare nis përgatitjet për Ligën e Kombeve, Maran shpall listën të shtunën
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të nisë këtë fundjavë fazën e përgatitjeve për ndeshjet e muajve shtator dhe tetor në UEFA Nations League. Kuqezinjtë kanë një kalendar intensiv, me katër sfida të planifikuara për këtë periudhë.
Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, do të bëjë publik listën zyrtare të lojtarëve të grumbulluar për këto përballje të shtunën, më 19 shtator. Njoftimi do të bëhet në orën 11:00, në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, dhe do të pasohet nga një konferencë për media, ku tekniku italian do t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve dhe do të shpjegojë zgjedhjet e tij.
Kalendari i Kombëtares nis me ndeshjen në shtëpi kundër Bjellorusisë, e cila do të luhet më 26 shtator. Tre ditë më vonë, më 29 shtator, ekipi do të udhëtojë drejt San Marinos për përballjen e dytë.
Më pas, Shqipëria do të luajë në transfertë ndaj Finlandës, më 3 tetor. Rikthimi në shtëpi do të shënojë ndeshjen e dytë kundër San Marinos, e caktuar për më 6 tetor.
Grumbullimi i skuadrës kombëtare është parashikuar të hënën. Lojtarët e ftuar do të bashkohen me ekipin dhe do të zhvillojnë seancën e parë stërvitore në pasditen e po asaj dite, gjithashtu në Shtëpinë e Futbollit.
Këto katër ndeshje janë një etapë kyçe në rrugëtimin e Shqipërisë në UEFA Nations League, teksa skuadra synon të vijojë me përgatitje maksimale dhe përkushtim për të arritur objektivat e saj në k këtë kompeticion.

