Top 5 This Week

Related Posts

Ish-prokurori kritikon ligjin e amnistisë penale për nënën 34-vjeçare: Ky është rast specifik që fëmija duhet të shkojë te nëna

Ish-Prokurori Karanxha kritikë ligjit të amnistisë penale: Fëmija në gji duhet të jetë me nënën

Ish-prokurori Ervin Karanxha ka shprehur rezerva të thella mbi ligjin e ri të amnistisë penale, duke e cilësuar atë të paplotë dhe me mangësi në trajtimin e rasteve specifike. I ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania këtë të martë, Karanxha u ndal veçanërisht te çështja e një nëne 34-vjeçare, e cila është duke vuajtur një dënim me burg dhe ka me vete foshnjën e saj 11-muajshe.

Sipas ish-prokurorit, rasti i nënës në fjalë duhej të ishte përfshirë në amnisti, pasi vepra penale për të cilën ajo është dënuar nuk ka të njëjtën peshë me krime të tjera për të cilat individë të ndryshëm kanë përfituar nga ky ligj. Ai theksoi se ekzistojnë pabarazi në aplikimin e amnistisë, duke sjellë si shembull faktin se ligji fal “plagosjen e lehtë”, ndërsa nuk përfshin vepra si “rrahjet”, duke krijuar kontradikta ligjore.

Karanxha ngriti shqetësimin mbi fatin e foshnjës 11-muajshe, e cila ndodhet me nënën e saj në ambientet e burgut. Ai theksoi domosdoshmërinë që fëmija, sidomos një foshnjë në gji, të qëndrojë pranë nënës. “Ku ta çojë foshnjën, në befotrof? S’ke çfarë bën. Madje ky është rast specifik që fëmija duhet të shkojë te nëna sepse është në gji,” u shpreh ai, duke argumentuar se hartimi i ligjeve shpesh bëhet në mënyrë të njëanshme dhe pa studime profesionale, duke sjellë pasoja të tilla. Përveç foshnjës, nëna ka edhe dy fëmijë të tjerë, një 4-vjeçar me probleme shëndetësore dhe një 2-vjeçar.

Megjithatë, ish-prokurori Karanxha dha një notë optimizmi, duke shprehur se pritet një lajm i mirë për lirimin e nënës 34-vjeçare. Ai sugjeroi se ekziston mundësia e pezullimit të ekzekutimit të dënimit për shkaqe të veçanta, një masë që do të mundësonte kthimin e nënës pranë fëmijëve të saj, veçanërisht foshnjës që e ka në nevojë urgjente.

Nëna 34-vjeçare ka vuajtur dënimin për dy muaj, duke e bërë kështu rastin e saj një shembull që vë në pikëpyetje efektivitetin dhe humanizmin e disa dispozitave ligjore, veçanërisht kur në mes janë fëmijët e vegjël dhe mirëqenia e tyre.

Popular Articles