Elvis Lila merr drejtimin e përkohshëm të SHISH pas pezullimit të Vlora Hysenit
Elvis Lila është ngarkuar përkohësisht me detyrën e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), duke marrë kompetencat e kreut të institucionit pas pezullimit të Vlora Hysenit.
Lila, i cili më parë shërbente si Drejtor i Departamentit Operativ brenda SHISH, do të ushtrojë këtë funksion deri në një vendim të mëtejshëm mbi drejtimin e agjencisë së inteligjencës.
Ky ndryshim në drejtim vjen si pasojë e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” të caktuar ndaj ish-drejtores Vlora Hyseni, e shoqëruar me pezullimin e saj nga detyra. Vendimi është marrë në kuadër të një hetimi që po zhvillohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Vlora Hyseni ishte emëruar në krye të SHISH në prill të vitit 2023 dhe drejtoi institucionin deri në shkarkimin e saj. Delegimi i përkohshëm i kompetencave tek Elvis Lila ka si qëllim të sigurojë vazhdimësinë e funksionimit të SHISH dhe ruajtjen e operativitetit të tij, deri në përcaktimin e një zgjidhjeje të përhershme për postin drejtues.

