Xhavit Shala: Duhej një mekanizëm për dorëheqjen e Vlora Hysenit para masës së arrestit
Eksperti i sigurisë, Xhavit Shala, ka ofruar këndvështrimin e tij mbi zhvillimet rreth hetimeve ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni. I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, Shala theksoi rëndësinë e një menaxhimi më të kujdesshëm të situatës, veçanërisht lidhur me pozicionin e saj në krye të institucionit.
Sipas Shalës, rasti i Hysenit, e cila akuzohet për dy vepra penale, kërkonte një qasje tjetër nga autoritetet. Ai sugjeroi se duhej gjetur një mekanizëm, në bashkëpunim me kryeministrin dhe presidentin, që t’i jepte mundësinë Hysenit të dorëhiqej nga detyra brenda një afati kohor, përpara se të aplikohej masa e arrestit ndaj saj.
Një zgjidhje e tillë, sipas ekspertit, do të kishte mbrojtur integritetin dhe imazhin e institucionit kyç të sigurisë kombëtare, duke shmangur arrestimin e drejtores së SHISH-it në detyrë. Kjo qasje gjithashtu do të kishte hapur rrugën për emërimin e një drejtuesi të komanduar, duke siguruar funksionimin pa ndërprerje të shërbimit.
Shala vlerësoi veprimin e gjykatës për pezullimin e Hysenit nga detyra, duke theksuar se kjo e zhvendos fokusin e saj nga puna me shërbimin drejt përballjes me drejtësinë. Megjithatë, ai shtoi se është thelbësore që autoritetet të ofrojnë garanci dhe sqarime për partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht duke pasur parasysh anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Akuza e ngritur lë hije dyshimi dhe rrezikon të ulë besueshmërinë e vendit.
Për të ardhmen, eksperti theksoi nevojën për një hetim të thelluar të brendshëm, sapo të vendoset një drejtues i ri në krye të SHISH-it, me qëllim adresimin e çdo shqetësimi dhe forcimin e standardeve institucionale.

