Arrestohet në Malësinë e Madhe Gentjan Handraj, i kërkuar ndërkombëtarisht nga Spanja për trafik droge
Policia shqiptare ka finalizuar operacionin e koduar “Fast” në Malësinë e Madhe, duke vënë në pranga një shtetas 39-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Spanja. Bëhet fjalë për Gentjan Handraj, i njohur edhe me aliasin Gentjan Hotaj.
I arrestuari kërkohej nga autoritetet spanjolle nën akuzat për “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”, vepra të kryera me qëllim tregtimin e substancave të paligjshme. Vendimi për masën e sigurisë “Arrest në burg” ishte lëshuar nga gjykatat spanjolle më datë 8 korrik 2026, duke bërë që i dyshuari të ishte subjekt i një urdhër-arresti ndërkombëtar nga Interpol Madrid.
Arrestimi u realizua nga specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania), pjesë e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, pas një koordinimi informativ dhe operacional me homologët spanjollë.
Shtetasi Handraj, i lindur në Koplik, u lokalizua dhe u arrestua provizorisht në zonën e Malësisë së Madhe. Aktualisht, Interpol Tirana po bashkëpunon ngushtë me autoritetet spanjolle për të kryer procedurat e ekstradimit, në mënyrë që 39-vjeçari të përballet me akuzat në Spanjë.

