Efektivët e Forcave “Shqiponja” ndërhyjnë pas akteve të vandalizmit, përballen me dhunë nga protestuesit (VIDEO)
Forcat e Posaçme “Shqiponja” kanë ndërhyrë mbrëmjen e së mërkurës për të menaxhuar situatën me një grup protestuesish, të cilët më herët kishin kryer akte vandalizmi në një qendër tregtare pranë ndërtesës së Parlamentit, duke thyer xhamat e saj.
Ndërhyrja e efektivëve të rendit për të shoqëruar protestuesit shkaktoi një reagim të dhunshëm nga ana e tyre. Raportohet se protestuesit kanë gjuajtur me gurë dhe koktej molotovi në drejtim të forcave policore.
Kjo ngjarje vjen pas një serie sulmesh që protestuesit ndërmorën gjatë mbrëmjes së së mërkurës. Fillimisht, objektiva ishin institucione shtetërore si Ministria e Ekonomisë, Kuvendi i Shqipërisë dhe Kryeministria. Më pas, sulmet me gurë dhe molotovë vijuan edhe ndaj Ministrisë së Drejtësisë, si dhe ndaj disa bizneseve private në zonë. Pamjet filmike shfaqin momentet e përplasjes dhe aktet e dhunës.



