Policia e Shtetit detajon arrestimin e Ergys Agasit, operacion i përbashkët me SPAK
Policia e Shtetit ka lëshuar një njoftim zyrtar lidhur me arrestimin e Ergys Agasit, person i shpallur në kërkim nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në kuadër të hetimeve për dosjen e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Sipas njoftimit, kapja e Agasit u bë pas një operacioni të organizuar dhe të koordinuar. Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës dhe strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me SPAK-un.
Në detajet e dhëna nga Policia, theksohet se “Si rezultat i operacionit “The Wanted”, është kapur në Durrës shtetasi E. A., i shpallur në kërkim nga SPAK”. Më tej, njoftimi shton se gjatë të njëjtit operacion, është kapur dhe arrestuar edhe shtetasi U. Sh., i cili udhëtonte në të njëjtin automjet me Ergys Agasin në momentin e ndalimit.

