Aksident në Korçë: Automjeti përplas karrocën me fëmijë, i mituri jashtë rrezikut
Një aksident rrugor është regjistruar këtë të martë në qytetin e Korçës, ku një automjet ka përplasur një karrocë me një fëmijë 1 vjeç e gjysmë brenda. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 10, në zonën e njohur si “Dritat e Verdha”.
Sipas informacioneve paraprake nga vendi i ngjarjes, nëna po kalonte rrugën së bashku me fëmijën në karrocë, kur automjeti e ka goditur atë. Pas ndërhyrjes së shpejtë, ka qenë vetë drejtuesi i mjetit që ka transportuar menjëherë fëmijën e mitur drejt Urgjencës së Spitalit të Korçës për të marrë ndihmën mjekësore.
Burime mjekësore nga spitali bëjnë me dije se fëmija ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po mbahet nën kujdesin e bluzave të bardha. Ndërkohë, policia ka nisur procedurat hetimore me drejtuesin e automjetit, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë aksident.

