Dëshmia në GJKKO zbardh dinamikën e vrasjes së Albi Bashaliut: Personi i maskuar e qëlloi dhe i dogjën automjetin
Në kuadër të seancës gjyqësore që po vijon në GJKKO kundër Laert Haxhiut, ka dhënë dëshminë e tij Sami Bashaliu, kushëri i viktimës Albi Bashaliu, i cili u vra më 27 dhjetor të vitit 2021 në Peqin. Dëshmia e tij ka hedhur dritë mbi dinamikën e ngjarjes së rëndë.
Para trupit gjykues, Sami Bashaliu përshkroi se si, në orët e mëngjesit të ditës së ngjarjes, një automjet tip “Audi” i bardhë me xhama të errët iu afrua lokalit të tij në fshatin Gjocaj. Sipas tij, nga makina zbriti një person i maskuar, i cili, pas një komunikimi të shkurtër me Albi Bashaliun, e qëlloi atë disa herë me armë zjarri.
Dëshmitari theksoi se në automjetin e autorëve ndodheshin dy persona, por ishte vetëm njëri prej tyre ai që kreu sulmin fatal. Pas rrëzimit të viktimës në tokë, atentatorët i vunë flakën automjetit të tij personal përpara se të largoheshin me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Sami Bashaliu dëshmoi se kishte parë gjithë skenën nga brenda lokalit të tij, por nuk kishte ndërhyrë.
Në vijim të dëshmisë së tij, Sami Bashaliu sqaroi se viktima Albi jetonte kryesisht në Itali dhe e frekuentonte rrallë zonën, veçanërisht që pas vrasjes së vëllait të tij, Leonardit. Ai pohoi se nuk kishte dijeni për detaje të tjera nga e kaluara e viktimës apo për ndonjë konflikt të mundshëm që mund të kishte çuar në këtë ngjarje tragjike.

