Top 5 This Week

Related Posts

Rama liston ‘mësimet’ nga protesta: Epoka e mungesave është mbyllur, u hap epoka e pritshmërive

Rama pas protestës: Shqipëria në një epokë të re, nga “mungesat” tek “pritshmëritë”

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re politike dhe shoqërore, duke shënuar kalimin nga ajo që ai e quajti “epoka e mungesave” në “epokën e pritshmërive”. Këtë qëndrim, kreu i qeverisë e shprehu gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Sipas Ramës, mësimi kryesor që duhet nxjerrë është se “faktet tona nuk mjaftojnë më”. Ai theksoi se qytetarët në Shqipërinë e transformuar rrënjësisht nuk jetojnë më me kënaqësinë e ndërtimit të rrugëve, shkollave apo lulishteve, por me pritshmëri që rriten shumë më shpejt sesa mundësia e qeverisë për t’iu përgjigjur. Kjo gjendje, sipas tij, krijon një tension mes asaj që qytetarët shohin dhe dëgjojnë dhe realitetit të tyre, shpesh duke ngjallur pasiguri për jetesën përballë një ekonomie që rritet bashkë me kostot.

Kryeministri theksoi se qeverisja e së tashmes nuk mund të bazohet vetëm te investimet, por duhet të jetë në harmoni me përvojën e përditshme të qytetarit. Ai argumentoi se mendjet dhe zemrat e shqiptarëve janë zhvendosur, nuk lidhen më me statistikat ekonomike, sado pozitive qofshin ato, por janë ankoruar te pritshmëritë personale.

Në këtë kontekst, Rama e interpretoi protestën e quajtur “Bulevardi i Flamingove” jo si një akt i thjeshtë proteste, por si një “pasqyrë” që shoqëria i vuri qeverisë. Një pasqyrë që sfidon ekzekutivin të shohë vetveten dhe të verifikojë seriozisht nëse “mendja dhe zemra janë në vendin e duhur” për të qeverisur Shqipërinë në këtë fazë të re.

Rama përshkroi “epokën e mungesave” si një periudhë ku shoqëritë vuanin në mungesë të infrastrukturës bazë dhe gëzoheshin me çdo përmirësim si me një dhuratë, duke pasur një tolerancë të lartë ndaj gjërave që mungonin. Përkundrazi, “epoka e pritshmërive” e karakterizon shoqërinë ku rruga e re konsiderohet standard, shkolla e re shihet si borxh i kthyer me vonesë, çdo shërbim merret i mirëqenë dhe asnjë mungesë nuk tolerohet. “Shoqëria as nuk e çon më nëpër mend nëse ka edhe më keq”, përfundoi kryeministri, duke nënvizuar se kjo është epoka e re e Shqipërisë.

Popular Articles