Agjenti francez i modeleve, Daniel Siad, i lidhur me Jeffrey Epstein, gjendet i vdekur në Paris
Daniel Siad, një agjent modelelsh francez i cili prej më shumë se një dekade dyshohej se ndërmjetësonte takime mes grave të reja nga industria e modës dhe trafikantit të dënuar seksual, Jeffrey Epstein, është gjetur i vdekur të hënën në banesën e tij në Colombes, periferi të Parisit. Vdekja e tij vjen pak pasi Siad kishte dhënë një intervistë për rrjetin televiziv CNN, ku kishte folur për lidhjen e tij me Epstein.
Lajmin e konfirmoi zëvendësprokurorja e Gjykatës së Nanterre, Marie-Celine Loverisy, e cila bëri të ditur se do të kryhet një autopsi për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes së Siad.
Në intervistën e tij të fundit për CNN, Siad kishte deklaruar se nuk ishte në dijeni që dy gra, të cilat ai i kishte prezantuar Epstein-it, më vonë e akuzuan atë për abuzim seksual. Ai pohoi se Epstein e kishte siguruar se kishte paguar për krimet e kryera pas dënimit të tij në vitin 2008 dhe se ngjarje të tilla nuk do të përsëriteshin. “I besoja atij dhe besoja se ky djalë ishte një profesionist,” kishte thënë Siad për CNN.
Dokumente të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë tregojnë se Epstein i kishte paguar Siad-it dhjetëra mijëra dollarë. Në të njëjtat dosje përfshihen edhe mesazhe, ku Siad e informonte Epstein-in për gra të reja që kishte takuar, si dhe i dërgonte fotografi të modeleve ose kandidateve për asistente.
Në një prej bisedave të zbuluara, pasi Siad i dërgoi një fotografi të një gruaje, Epstein i ishte përgjigjur shkurtimisht: “Shumë e madhe.” Emri i Daniel Siad përmendet më shumë se 2,000 herë në dosjet e Departamentit Amerikan të Drejtësisë që lidhen me çështjen Epstein.
Përtej lidhjeve me çështjen Epstein, Siad ishte gjithashtu nën një hetim penal në Francë, ku akuzohej edhe për sulm seksual. Një modele e kishte akuzuar atë për përdhunim, duke pretenduar se ngjarja kishte ndodhur në vitin 1990, kur ai punonte në Francë. Siad i kishte mohuar këto akuza.
Lidhjet e Jeffrey Epstein me industrinë e modës vazhdojnë të jenë nën hetime ndërkombëtare, duke shtuar një tjetër dimension në këtë vdekje të papritur.

