Top 5 This Week

Related Posts

Avokati i Popullit: 118 persona në Bllokun e Sigurisë, 6 të mitur mes tyre, ankesa për dhunë dhe mbipopullim

Avokati i Popullit denoncon mbipopullimin dhe dhunën ndaj protestuesve; 6 të mitur mes 118 personave në Bllokun e Sigurisë

Institucioni i Avokatit të Popullit ka ngritur shqetësime serioze mbi trajtimin e personave të shoqëruar pas protestës së zhvilluar më 20 tetor. Në një komunikatë për shtyp të lëshuar më 21 tetor, Avokati i Popullit bëri publike gjetjet paraprake nga monitorimi, duke theksuar mbipopullimin në Bllokun e Sigurisë, administrimin e ankesave për dhunë policore dhe praninë e të miturve në ambientet e sigurisë.

Ekipet e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT) inspektuan Komisariatin e Policisë nr. 2, Bllokun e Sigurisë dhe Spitalin e Traumës. Në Komisariatin nr. 2 u gjetën dy persona madhorë, të cilët u liruan gjatë monitorimit. Situata më kritike u konstatua në Bllokun e Sigurisë, ku ndodheshin 118 persona, ndërkohë që kapaciteti zyrtar i këtij ambienti është vetëm 67. Gjatë inspektimit, u raportua se 36 prej tyre ishin arrestuar gjatë orëve të fundit. Institucioni vuri në dukje se në dhoma të projektuara për një person qëndronin tre deri në katër, ndërsa të paktën dy persona flinin në dysheme.

Avokati i Popullit ka administruar gjashtë ankesa për pretendime dhune, të gjitha në ambientet e Bllokut të Sigurisë, të cilat u raportuan gjatë ndalimit apo shoqërimit nga policia. Në dy prej rasteve, protestuesit raportuan dëmtime fizike, konkretisht në kokë dhe në sy. Institucioni gjithashtu po analizon pamjet filmike të publikuara nga protesta, të cilat ngrenë shqetësime për raste të dyshuara të tërheqjes zvarrë dhe goditjeve me shkopinj gome, duke theksuar se çdo përdorim i forcës nga policia duhet të jetë i ligjshëm, i domosdoshëm dhe proporcional, në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Një tjetër shqetësim madhor ishte identifikimi i gjashtë të miturve në Bllokun e Sigurisë. Ekipet monitoruese nuk arritën të gjenin një dhomë të veçantë për fëmijët. Të miturit kishin ankesa lidhur me kufizimin e kontaktit me familjen dhe avokatin, si dhe mungesën e psikologut gjatë marrjes në pyetje. Avokati i Popullit kërkon dokumentimin e garancive procedurale për ta dhe ndarjen e tyre nga personat madhorë, duke vënë theksin te mbrojtja e posaçme e fëmijëve të privuar nga liria.

Gjatë inspektimit në Spitalin e Traumës, u gjetën gjashtë protestues, njëri prej të cilëve i mitur. Një person i arrestuar vazhdonte të ishte i shtruar, i prangosur në krevat, i shoqëruar nga një punonjës policie. Ky person pretendonte se ishte dhunuar gjatë arrestimit dhe kishte një dëmtim të madh në sy. Avokati i Popullit kërkon sqarime për arsyet dhe kohëzgjatjen e prangosjes, si dhe ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë të garantojë praninë e mjekëve në ambientet e shoqërimit dhe dokumentimin e çdo dëmtimi trupor.

Në përfundim, Avokati i Popullit i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit të ruajë menjëherë pamjet filmike nga protesta, komisariatet dhe Blloku i Sigurisë, si dhe të vërë në dispozicion të dhëna për shoqërimet dhe identitetin e punonjësve të përfshirë. Institucioni thekson se do të vijojë monitorimin dhe, në rast të konstatimit të shkeljeve ligjore dhe përgjegjësive penale, do t’i referojë çështjet në prokurori. Këto gjetje janë paraprake, ndërsa hetimi i thelluar vazhdon. Qytetarët që pretendojnë cenim të të drejtave u ftohen të paraqesin ankesa individuale pranë institucionit.

Popular Articles