Vengu: Përveç Policisë, mësuesit, mjekët e ushtarakët duhet të jenë në krye të piramidës së pagave
Deputeti socialist, Pirro Vengu, ka reaguar lidhur me vendimin e qeverisë për shpërblimin e efektivëve të Policisë së Shtetit, duke theksuar se përtej forcave të rendit, edhe disa profesione të tjera kyçe duhet të pozicionohen në krye të piramidës së pagave në administratën shtetërore.
Vengu shprehet se mësuesit, ushtarakët, punonjësit e policisë, mjekët, infermierët dhe zjarrfikësit janë profesionet që duhet të vlerësohen maksimalisht në shkallën hierarkike të pagave, për shkak të përgjegjësive të mëdha që mbajnë dhe rolit thelbësor që luajnë në shërbim të publikut dhe në funksionimin e shtetit. Sipas tij, vendosja e tyre në krye të piramidës së pagave është thelbësore për të ardhmen e shoqërisë dhe për shembullin që ajo zgjedh t’u japë fëmijëve.
Reagimi i deputetit vjen në kontekstin e njoftimit të Kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë një takimi me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, bëri me dije një shpërblim prej 2,500 eurosh për çdo efektiv të angazhuar në përballimin e protestave studentore. Gjithashtu, Kryeministri paralajmëroi një rritje të konsiderueshme të pagave të policisë duke filluar nga data 1 janar.
Deputeti Vengu theksoi se thelbi i rritjes së pagave dhe shpërblimeve për Policinë e Shtetit qëndron në nevojën për të rivendosur “rendin e vlerave dhe të përgjegjësive”. Ai shtoi se “kujdestarët e brezave dhe të parakushteve për një të ardhme më të mirë për të gjithë duhet të jenë në krye: në vlerësim, në shembull dhe në shpërblim.”

