Evakuim masiv në Krujë për shkak të zjarrit, arrestohet autori i dyshuar
Bashkia Krujë ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në zonat e Barabit dhe Llubanit, si masë parandaluese për shkak të zjarrit të rrezikshëm që ka përfshirë territorin. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se Policia e Shtetit ka arrestuar autorin e dyshuar të zjarrvënies.
Urdhri për evakuim vjen pasi flakët po kërcënojnë drejtpërdrejt zonat e banuara. Autoritetet lokale, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefekturën e Qarkut Durrës dhe strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Krujë, po menaxhojnë procesin. Këtyre u janë bashkuar edhe zjarrfikësit, Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura, të cilat po ofrojnë mbështetje thelbësore në terren.
Bashkia ka theksuar rëndësinë e evakuimit të menjëhershëm, duke prioritetizuar fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që ndodhen në zona të izoluara. Njëkohësisht, u është bërë thirrje banorëve të ndjekin me përpikëri udhëzimet e forcave të pranishme dhe të bashkëpunojnë me ekipet e emergjencës për të garantuar sigurinë e tyre.
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, ishin në Krujë pasditen e sotme për të ndjekur situatën nga afër. Në një deklaratë, ministri Lamallari konfirmoi se zjarri ishte shkaktuar nga dora e njeriut dhe se autori i dyshuar ishte vënë në pranga nga Policia e Shtetit.
“Policia e Shtetit e ka arrestuar tashmë zjarrvënësin dhe ai do të përballet me pasojat e rënda ligjore për këtë vepër penale,” theksoi ministri Lamallari. Ai shtoi se strukturat policore vazhdojnë të jenë të angazhuara plotësisht në terren për të siguruar jetën dhe pronën e banorëve. Sipas ministrit, evakuimi i pjesshëm është marrë si masë parandaluese, me kërkesë të pushtetit vendor.
“Çdo forcë është në terren dhe çdo mjet është në dispozicion deri në neutralizimin e plotë të rrezikut,” përfundoi Lamallari. Operacioni për shuarjen e zjarrit po zhvillohet në kushte të vështira, kryesisht për shkak të terrenit malor, dhe përfshin angazhimin e forcave tokësore si dhe mbështetjen nga ajri. Strukturat zjarrfikëse dhe të emergjencave po punojnë pa pushim për të izoluar vatrat dhe parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve drejt zonave të banuara.

