Tragjike në Mersin: Burri që vodhi minibusin humb jetën në aksident pak minuta më pas
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të enjten në mëngjes në qytetin Mersin të Turqisë, ku një tentativë për vjedhje minibusi përfundoi tragjikisht me vdekjen e autorit. Enes Can Ozata, pasi sulmoi shoferin dhe mori kontrollin e automjetit, gjeti vdekjen në një aksident rrugor pak minuta më pas.
Sipas informacioneve të autoriteteve, Ozata hipi në autobusin që transportonte 12 persona. Papritmas, ai sulmoi dhunshëm shoferin ndërsa mjeti ishte në lëvizje. Falë reagimit të shpejtë, shoferi arriti të ndalonte automjetin dhe të hapte dyert, duke mundësuar kështu shpëtimin e tij dhe të pasagjerëve të tjerë, të cilët ishin të panikuar.
Pasi u ul në sediljen e shoferit, Enes Can Ozata mori kontrollin e minibusit. Fillimisht, ai u kthye mbrapsht, duke goditur një automjet tjetër, e më pas u përplas me një minibus të dytë, përpara se të largohej me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Arratisja e tij, megjithatë, nuk zgjati shumë. Rreth katër kilometra më tej, Ozata humbi kontrollin e minibusit dhe u përfshi në një aksident të rëndë, duke pësuar lëndime fatale. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe ekipet mjekësore, të cilët pas kontrolleve, konfirmuan vdekjen e autorit të ngjarjes si pasojë e plagëve të rënda të marra. Ngjarja është raportuar gjerësisht dhe pamje të saj janë shpërndarë edhe në mediat sociale.

