Tragjedi pranë Liberty Island në Nju Jork: Humbin Jetën një Foshnjë dhe një Grua Pas Përmbysjes së Varkës
Një ngjarje tragjike ka goditur ujërat pranë Liberty Island në Nju Jork të shtunën mbrëma, ku një varkë u përmbys duke shkaktuar vdekjen e një gruaje 27-vjeçare dhe një foshnje pesëmuajshe. Rrethanat e sakta të incidentit mbeten ende të paqarta dhe janë nën hetim.
Departamenti i Policisë së Nju Jorkut bëri me dije se autoritetet u njoftuan për përmbysjen e varkës rreth orës 22:55. Menjëherë pas alarmit, Forcat e Rojës Bregdetare, një ekip zhytësish dhe një ekip ajror u dërguan në vendngjarje për operacione kërkimi dhe shpëtimi.
Ndërkohë, 12 persona të tjerë që ndodheshin në të njëjtën varkë ishin shpëtuar nga uji më herët, dhe sipas informacioneve, kishin pësuar lëndime të lehta. Megjithatë, për gruan 27-vjeçare dhe foshnjën, fatkeqësisht, situata ishte fatale. Ato u gjetën pa ndjenja dhe u transportuan me urgjencë në spital, ku u konfirmua vdekja e tyre. Ende nuk është bërë e ditur nëse viktimat kishin lidhje familjare.
Sipas raportimeve të New York Post, në bordin e anijes 23-metërshe ndodheshin gjithsej 14 persona. Operatori i varkës, një 46-vjeçar banues i Manhatanit, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, përballet me 13 akuza në lidhje me këtë ngjarje. Hetimet janë duke vijuar për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat që çuan në këtë incident fatal.

