Top 5 This Week

Related Posts

PD letrë zyrtare Peleshit: Zbatoni vendimin e Kushtetueses për Komisionin Hetimor të zgjedhjeve të 11 majit

Partia Demokratike i kërkon Kuvendit zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Komisionin Hetimor të zgjedhjeve të 11 majit

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka adresuar një kërkesë zyrtare drejt Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshit, duke insistuar për nisjen e procedurave të zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ngritjen e një Komisioni Hetimor parlamentar. Ky komision do të shqyrtonte pretendimet për përdorimin e burimeve shtetërore dhe ndërhyrjen e krimit të organizuar gjatë zgjedhjeve të 11 majit.

Në letrën e firmosur nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, theksohet se vendimi nr. 62/2026 i Gjykatës Kushtetuese, i cili detyron ngritjen e këtij komisioni, është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 157, më 22 korrik 2026, dhe ka hyrë në fuqi në të njëjtën ditë.

Sipas Partisë Demokratike, referuar nenit 87 të Rregullores së Kuvendit, çështja duhej të ishte shqyrtuar nga Këshilli i Legjislacionit brenda një afati prej 30 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të vendimit. Megjithatë, opozita argumenton se tashmë kanë kaluar më shumë se dy muaj pa asnjë veprim.

“Prej më shumë se dy muajsh, ju, në cilësinë e autoritetit përgjegjës për nisjen e procedurës parlamentare për zbatimin e këtij vendimi detyrues të Gjykatës Kushtetuese, jeni duke shkelur nenin 132 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë,” thuhet në shkresën e opozitës.

Bardhi ka akuzuar Kryetarin e Kuvendit për mosveprim, duke theksuar se kjo vonesë dhe refuzim për të zbatuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese përbën një cenim të rëndë të të drejtave të pakicës parlamentare dhe parimeve të shtetit të së drejtës.

Letra përfundon me kërkesën e Grupit Parlamentar të PD-së për marrjen e masave të menjëhershme për zbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në shkresën e mëparshme të grupit parlamentar të PD-së me numër 3452 Prot., datë 27.07.2026.

Popular Articles