Himara, nis evidentimi i dëmeve pas zjarrit masiv; Bashkia angazhohet për ndihmë dhe normalizim
Pas zjarrit të përmasave të mëdha që përfshiu dje zonën e Himarës, ka nisur puna për evidentimin e dëmeve të shkaktuara. Ky proces synon identifikimin e familjeve të prekura dhe vlerësimin e nevojave për ndihmë, si dhe dëmshpërblimin e mundshëm.
Lajmi është bërë publik nga kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai bëri të ditur se një komision i posaçëm, i ngritur nga Bashkia Himarë, është tashmë në terren, duke vijuar me verifikimin e plotë të dëmeve dhe identifikimin e rasteve që kërkojnë mbështetje urgjente.
Në këtë kontekst, kryebashkiaku Tavo u ka bërë thirrje banorëve të zonave të prekura që të raportojnë çdo dëm apo nevojë për ndihmë, duke kontaktuar Drejtorinë e Emergjencave pranë Bashkisë Himarë.
Ndërkohë, strukturat përkatëse të Bashkisë Himarë, përfshirë Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike, vazhdojnë të jenë plotësisht të angazhuara në terren. Fokusi është në normalizimin e plotë të situatës. Aktualisht, në lagjen “Kalto”, po kryhen punime intensive për hapjen dhe lirimin e akseve rrugore, me qëllim lehtësimin e qarkullimit të automjeteve dhe ofrimin e ndihmës së menjëhershme për qytetarët.
Bashkia ka theksuar se puna dhe ndërhyrjet në terren do të vijojnë pa ndërprerje deri në përballimin e plotë të situatës së vështirë të krijuar pas zjarrit të djeshëm, duke garantuar se strukturat e saj do të qëndrojnë pranë çdo familjeje të prekur.

