Kryeministri Rama akuzon Dritan Goxhajn si “manipulator” pas leximit të kërkesave të protestës
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në platformat e tij sociale këtë të martë, pas paraqitjes së pesë kërkesave kryesore nga qytetarët që protestojnë prej 22 ditësh. Reagimi i tij ishte fokusuar kryesisht tek personi që lexoi këto kërkesa.
Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dritan Goxhaj, kishte deklaruar se ishte autorizuar nga grupi koordinues i protestës për të përfaqësuar organizatorët dhe protestuesit në publikimin e kërkesave.
Në postimin e tij, Rama e cilësoi Goxhajn si një “manipulator gjysmë taleban e gjysmë mitoman”, ndërsa theksoi qartë se nuk do të hidhte asnjë pikë balte mbi flamurin e UÇK-së.
Për të forcuar argumentin e tij, Kryeministri publikoi një dokument që ai pretendon se daton nga viti 1999, ku sipas tij Goxhaj kishte deklaruar: “S’më ka marrë koka erë si im atë që të luftoj në Kosovë.”
Rama përmendi gjithashtu fjalët e një personi, që sipas tij kishte të vrarë në familje dhe i kishte dërguar dokumentin në fjalë: “Po mos bre mos ja kajni nanën krejt, çfarë komandant i leshit more.” Më pas, Kryeministri përsëriti qëndrimin e tij personal: “Ej, trima, jo për një manipulator gjysëm taleban e gjysëm mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së.”

