Ministri Hoxha pret drejtuesit dhe të zgjedhurit shqiptarë të Luginës së Preshevës për diskutim mbi të drejtat dhe zhvillimin
Tiranë – Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti sot në Tiranë një delegacion të rëndësishëm të drejtuesve dhe të zgjedhurve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Takimi u fokusua në forcimin e të drejtave të shqiptarëve, ruajtjen e identitetit dhe përfaqësimin e tyre real në Serbi, si dhe në adresimin e nevojave konkrete të qytetarëve.
Delegacioni përbëhej nga Deputeti në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi; Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani; Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti; dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.
Ministri Hoxha theksoi se biseda ishte e drejtpërdrejtë, vëllazërore dhe thelbësore, duke trajtuar çështjet që kërkojnë bashkërendim të vazhdueshëm. Këto përfshijnë mbrojtjen e të drejtave, ruajtjen e identitetit dhe forcimin e përfaqësimit politik e institucional të shqiptarëve në Serbi, me qëllim që të kenë një fuqi reale vendimmarrëse.
Gjatë takimit, Ministri i Jashtëm deklaroi se përfaqësimi dinjitoz, mbrojtja e identitetit kombëtar, arsimimi cilësor, zhvillimi ekonomik dhe krijimi i mundësive për të rinjtë nuk janë çështje kalimtare. “Këto kërkojnë vëmendje të vazhdueshme, bashkërendim dhe veprim konkret,” u shpreh ai, duke nënvizuar angazhimin e Shqipërisë.
Ministri Hoxha ritheksoi se të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës mbeten një prioritet i qëndrueshëm i diplomacisë shqiptare. Ai siguroi se Shqipëria do të vazhdojë të jetë pranë tyre me angazhim të palëkundur, dialog të hapur dhe mbështetje konkrete.

