Top 5 This Week

Related Posts

Fshehu automjetin e përdorur pas vrasjes së bashkëshortëve në Balldren, kapet në Ulqin 40-vjeçari

Kapet në Ulqin 40-vjeçari, dyshohet se fshehu automjetin e përdorur pas vrasjes së dyfishtë në Balldren

Policia në Mal të Zi ka lokalizuar, kapur dhe deportuar në Shqipëri një shtetas shqiptar të shpallur në kërkim në lidhje me hetimet për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në Balldren të Lezhës.

Nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë dhe shkëmbimit në kohë reale të të dhënave mes strukturave policore shqiptare dhe atyre malazeze, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi në Ulqin i shtetasit B. K., 40 vjeç, banues në fshatin Torovicë.

Menjëherë pas kapjes, 40-vjeçari u deportua drejt Shqipërisë, ku në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan iu dorëzua Policisë Kufitare shqiptare. Më pas, ai u shoqërua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në DVP Lezhë ekzekutuan ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata e Lezhës. B. K. dyshohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim.

Arrestimi i B. K. vjen në kuadër të hetimeve për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 26 prill në fshatin Balldren, ku mbetën të vrarë me armë zjarri bashkëshortët K. M. dhe G. M.

Nga veprimet hetimore të deritanishme, dyshohet se B. K. ka ndihmuar autorët e krimit duke fshehur në banesën e tij automjetin e përdorur prej tyre pas ngjarjes. Ky automjet është gjetur dhe sekuestruar nga Policia gjatë kontrolleve të zhvilluara në kuadër të hetimeve për këtë rast.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme ligjore.

Popular Articles