Greqia vendos objektiv anëtarësimin e Malit të Zi në BE gjatë Presidencës së saj në vitin 2027
Athina po shpreh angazhimin e saj të fortë për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, duke synuar konkretizimin e këtij objektivi gjatë Presidencës së saj të Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027. Kjo nismë është pjesë e një strategjie më të gjerë të Greqisë për integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë kuadër, Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, viziton Podgoricën të premten për të zhvilluar bisedime me homologun e tij malazez, Ervin Ibrahimoviç, dhe Kryeministrin Milojko Spajiç. Fokus i diskutimeve është përparimi i Malit të Zi drejt anëtarësimit në BE.
Greqia do të marrë Presidencën e radhës të Këshillit të BE-së në korrik 2027 dhe, sipas burimeve qeveritare, synimi është të mbështetet aktivisht anëtarësimi i të paktën një vendi të Ballkanit Perëndimor në Union. Athina aspiron të rindërtojë mbi trashëgiminë e saj nga Presidenca e BE-së në vitin 2003, kur luajti një rol kyç në përgatitjen e zgjerimit më të madh të Unionit pas Luftës së Ftohtë, i cili u realizua një vit më pas. George Tzogopoulos, bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Helenik për Politikën Evropiane dhe të Jashtme (ELIAMEP), thekson se Greqia sheh një mundësi për të ringjallur këtë rol historik.
Zyrtarët në Athinë besojnë se Mali i Zi, i cili hapi negociatat e pranimit në vitin 2012, përfaqëson një kandidat më realist për anëtarësim sesa vende të tjera aspiruese si Serbia apo Shqipëria. Argumentohet gjithashtu se popullsia relativisht e vogël e Malit të Zi, rreth 600,000 banorë, do të sillte kosto ekonomike dhe politike të ulëta për Bashkimin Evropian.
Vetë Podgorica ka promovuar nismën e saj të anëtarësimit me sloganin “28 nga 28”, duke premtuar se do të bëhet shteti i 28-të anëtar i BE-së deri në vitin 2028. Në një intervistë të fundit, Ministrja e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorceviç, shprehu bindjen se vendi nuk duhet të presë shumë më gjatë për anëtarësim të plotë.
Megjithatë, objektivi i Athinës është të përshpejtojë afatin kohor dhe të lehtësojë pranimin e Malit të Zi deri në fund të vitit 2027. Sfidat mbeten, pasi, siç theksoi një diplomat i BE-së për Euractiv, “teorikisht, të gjithë bien dakord që rajoni i përket BE-së, por kur diskutimet kthehen në hapa praktikë, disa qeveri ngrenë pengesa, shpesh duke përmendur çështje teknike dhe shqetësime në lidhje me metodologjinë e pranimit”.

